Faqet e bashkive, me foto kryetarësh, por pa informacion të dobishëm për qytetarët

15/07/2022

Në kulmin e debatit për mjedisin dhe ndotjen, kërkova të di sesa ton mbetje u menaxhuan për vitin 2021 nga bashkitë. Kërkimi im si gazetare, por edhe si qytetare që është e interesuar për këtë informacion, nisi nga faqet zyrtare në internet të 61 bashkive. Me formate dhe ngjyra të ndryshme, ku mbizotëronin fotografitë e kryetarëve dhe të takimeve zyrtare të tyre, faqet në internet të bashkive kanë pak informacion dhe mbi të gjitha aspak të dobishëm për çështjen që interesohem.

Atëherë kërkova informacion për diçka më të thjeshtë, gati bazike: sa shkolla 9-vjeçare ka bashkia? Edhe për këtë pyetje, nuk mora përgjigje nga informacionet në faqet zyrtare në internet të bashkive. Sa kilometër rrugë, sa kanale kulluese? Sa punonjës ka bashkia? Edhe për këto çështje, informacionin nuk e gjen dot. Edhe pse bashkitë i kanë ndërtuar faqet zyrtare në internet, ato janë larg burimeve, ku qytetarët apo bizneset lokal mund të informohen apo të verifikojnë sesa transparent është pushteti vendor, që i paguajnë taksat.   

“Në pamje të parë duket sikur plotësohen deri diku kërkesat ligjore. Megjithatë, sot ende ka bashki që nuk kanë një faqe zyrtare. Në terma të përmbajtjes, informacioni i ngarkuar në faqet zyrtare është i paktë dhe i vakët. Këtu bëjnë përjashtim bashkitë si Shkodra, Korça dhe bashkia Tiranë deri diku”, shprehet Merita Toska, eksperte për pushtetin vendor.

Ndërsa për ekspertin e çështjeve vendore, Agron Haxhimali, informacioni që publikohet në faqet zyrtare në internet të bashkive është standard dhe jo shumë i dobishëm pr qytetarët. “Bashkitë kanë shënuar progres, veçanërisht në publikimin e informacioneve online, informacione kryesisht standarde, si funksionimi i bashkisë, këshilli bashkiak, struktura, buxheti vjetor apo plane vendore të miratuara etj. Këto lloj informacionesh i shërbejnë qytetarit kryesisht në mënyrë pasive, ai merr dijeni pa pasur ndonjë reagim ndaj tyre që do të sillte ndërveprim me bashkinë”, shprehet Haxhimali.

Përmbajtja e faqeve zyrtare online të bashkive

Faqet zyrtare të 61 bashkive në vend janë të ngjashme në strukturë, edhe pse të ndryshme në formë dhe ngjyra. Disa rubrika janë të njëjta për të gjitha web-et, si bashkia, këshilli bashkiak, shërbimet, foto e kryetarit dhe pasqyrimi në mënyrë të dukshme i takimeve të tij zyrtare apo drejtuesve të tjerë të pushtetit vendor. Ekspertët vlerësojnë se mungesa e informacionit të bollshëm dhe të detajuar është vetëm një nga mangësitë. Problem tjetër është mos përditësimi i të dhënave dhe informacionit. Në shumë rubrika të web-eve të bashkive, informacioni daton që në periudhën kur është hapur faqja, ndërkohë që shumë rubrika të tjera, po të klikosh në brendësi, janë bosh. Pra, nuk kanë informacion.

“Krahas sasisë së kufizuar të informacionit, ai nuk është i përditësuar dhe në rastet kur është i përditësuar, kjo ndodh me shumë vonesë. Për qytetarin mesatar është tepër e vështirë që të arrijë të informohet bazuar në atë që është publikuar”, deklaron Merita Toska. Ndërsa për Agron Haxhimalin shqetësues është fakti që mungon informacioni utilitar, ai që t’i shërbejë qytetarëve, të cilët të mund të informohen mbi shërbimet që përfitojnë dhe si t’i përfitojnë.

“Do të vija theksin në dy aspekte kyçe të komunikimit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit: së pari, bashkitë duhet të punojnë më shumë për të informuar qytetarët për shërbimet e tyre, veçanërisht ato për shtresat në nevojë si bonusi i qerasë, ndihma ndaj fëmijëve në situata emergjente, ndihma e parë për gratë e dhunuara, asistenca ndaj të moshuarve apo personave me aftësi ndryshe. Ka shumë qytetarë që nuk janë në dijeni të shërbimeve bashkiake të ofruara, madje dhe nëse janë, nuk njohin procedurat që duhen ndjekur për t’i përfituar këto shërbime apo te kush zyrë duhet të drejtohen. Së dyti, aksesi online i qytetarëve tek bashkia dhe punonjësit e saj është mjaft i dobët. Nëse qytetarët do të tentojnë të marrin një informacion përmes telefonit ose e-mail-it, kjo do të ishte e vështirë në të paktën gjysmën e bashkive”, agumenton Agron Haxhimali.

Një tjetër problem që konstatohet në faqet zyrtare në internet të bashkive është edhe informacioni i pakuptueshëm. “Ka infomacion në një pjesë të web-eve të bashkive që nuk arrin të lexohet”, thotë Toska. Duke sjellë shembullin e taksave, ajo shpjegon se “disa bashki publikojnë në faqe vetëm ndryshimet e paketës fiskale dhe duhet të gjurmosh paketën fiskale të vitit X për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, shprehet ekspertja.     

E përballë këtyre problematikave të faqeve zyrtare në internet të bashkive, vetëm për t’u informuar nuk ia arrin dot. Mund të mësosh mbi kryetarin apo kë ka takuar ai, ta shohësh dhe me foto, por nuk mundesh të marrësh një informacion mbi taksat që paguan apo ku shpenzohen ato. Mungesa e transparencës, dhe rrjedhimisht edhe llogaridhënies, është e dukshme nga të zgjedhurit vendorë, të cilët duket se nuk shqetësohen për faqet zyrtar, që është edhe kontakti i parë i një investitori me bashkinë apo edhe i qytetarit për të kërkuar përgjigje.   

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda – ICEDA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), the Academy of e-Governance (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability (Serbi), NGO 35mm (Mal i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti po zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.