QEVERISJA E HAPUR E INSTITUCIONEVE TË PUSHTETIT EKZEKUTIV NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, VITI 2021

QEVERISJA E HAPUR E INSTITUCIONEVE TË PUSHTETIT EKZEKUTIV NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, VITI 2021

PROPOZIME PËR PËRMIRËSIMIN E SITUATËS

Pushteti ekzekutiv në Shqipëri është shënjuar së fundmi nga disa ngjarje, të cilat kanë ndikuar performancën e qeverisë, si dhe marrëdhënien e saj me publikun e gjerë. Në prill të vitit 2021 u mbajtën në Republikën e Shqipërisë zgjedhjet e përgjithshme, rezultati i të cilave vendosi, për herë të parë përgjatë periudhës së tranzicionit, se një parti politike do të zotëronte e vetme mandatin e tretë radhazi. Për rrjedhojë, viti 2022 e gjeti ekzekutivin shqiptar në një situatë pothuajse post-pandemi dhe në rekuperim të ekonomisë së vendit. Situata e emergjencës pandemike ndikoi, sigurisht, në performancën e institucioneve shtetërore, ashtu sikurse edhe në atë ekonomike të Shqipërisë.

Sakaq, këtë vit, qeveria shqiptare shpalli vendimin për t’u bërë vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbyllte sportelet fizike të të gjitha shërbimeve shtetërore ndaj pubikut dhe biznesit. Që prej 1 majit 2022, shërbimet publike ofrohen përmes portalit qeveritar e-albania. Reforma e digjitalizimit të shërbimeve shtetërore përfaqëson një hap drejt përmirësimit të nivelit të shërbimit ndaj qytetarit dhe biznesit, por njëkohësisht solli ngritjen e shqetësimeve të shumta për atë pjesë të qytetarëve, që për arsye ekonomike, sociale, apo aftësi ndryshe, nuk mund t’i aksesojnë këto shërbime.

Përgjatë këtij viti, paralelisht me faktorët kombëtarë, edhe situata ndërkombëtare me luftën në Ukrainë, si rrjedhojë e agresionit rus, ndikoi në veprimtarinë vendase. Rritja e kostove të jetesës, si rezultat i kësaj lufte, përfaqësoi situatë emergjence, duke detyruar pushtetin ekzekutiv të rishikojë dhe rialokojë buxhetin e shtetit, me qëllim përshtatjen ndaj realitetit të krijuar.

Së fundmi, aftësia dhe performanca e institucioneve publike për të qenë transparente ndaj qytetarit u lëkund edhe nga sulmi kibernetik i korrikut të këtij viti. Një sulm i drejtuar ndaj disa prej institucioneve më të rëndësishme në Shqipëri, si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Brendshme, duke përfshirë sistemin TIMS, databazën e Policisë së Shtetit, si dhe institucione të cilat ende nuk dihet nëse janë prekur nga shtrirja e këtij sulmi. Ky sulm është provuar të jetë i drejtuar nga shteti i Iranit. Si pasojë e këtij sulmi, për një periudhë dy javore, faqet e institucioneve publike të Republikës së Shqipërisë ishin të paralizuara, për shkak të rënies së sistemit të serverave të shtetit. Fikja e serverave u krye si masë ndaluese e sulmit. Rezultati i këtij sulmi ka bërë të mundur që një pjesë e të dhënave personale sensitive të qytetarëve shqiptarë të jenë tashmë të aksesueshme nga kushdo.  

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA)