Qeverisja e hapur e njësive të vetëqeverisjes vendore në rajon dhe në Republikën e Shqipërisë

Qeverisja e hapur e Pushtetit Vendor në Shqipëri 
Pushteti vendor në Shqipëri, në matjen e tretë të realizuar në kuadër të programit ACTION SEE, ka plotësuar 34.63% të treguesve të hapjes institucionale. Performanca e këtij pushteti është përmirësuar përgjatë tre vjeçarit të studimit të mbajtur, por edhe pse është shumë e përafërt me mesataren rajonale, ende nuk është në nivele të kënaqshme. Shtyllat e hapjes institucionale kanë shënuar si në vijim: aksesueshmëria 33.58% të plotësimit të indikatorëve, integriteti 45.1%, transparenca 27.03% dhe efektshmëria 71.76%. Siç mund të shihet, performancën më të ulët bashkitë e kanë arritur në plotësimin e treguesve të buxhetit bashkiak (40.99%), informacionit organizacional (25.18%) dhe procedurave të prokurimeve publike (6.59%), por edhe në zbatimin e procedurave të konsultimeve publike (6.58%). Ndërkohë, treguesit më të plotësuar i takojnë procedurave të monitorimit dhe vlerësimit (76.67%), raportimit në këshillat bashkiakë (88.24%) dhe planifikimit strategjik (52.41%). 

Pjesë e studimit të këtij viti kanë qenë 17 bashki, të renditura sipas nivelit të performancës së hapjes institucionale: Bashkia Skrapar, Bashkia Belsh, Bashkia Elbasan, Bashkia Maliq, Bashkia Vorë, Bashkia Korçë, Bashkia Lezhë, Bashkia Kukës, Bashkia Tiranë, Bashkia Durrës, Bashkia Rrogozhinë, Bashkia Lushnjë, Bashkia Pukë, Bashkia Gjirokastër, Bashkia Devoll, Bashkia Pustec dhe Bashkia Dibër. Bashkia Skrapar e cila paraqitet si bashkia me hapjen më të lartë institucionale, shënon 58.78% të plotësimit të treguesve, ndërsa Bashkia Dibër me performancën më të ulët, shënon 16.34%. Nga këto bashki, rreth 29% e tyre nuk i kanë kthyer përgjigje pyetësorit të dërguar ndaj administratës së tyre. Ndërsa për ato bashki të cilat kanë kthyer përgjigje, është vënë re se një pjesë e koordinatorëve për të drejtën e informimit, nuk janë në dijeni të informacioneve të publikuara në faqet zyrtare të institucioneve. Vlen të theksohet se të gjitha bashkitë, pjesë e studimit, disponojnë faqe zyrtare online. 

*Bazuar në matjet e kryera përgjatë periudhës Dhjetor 2018 deri në Mars 2019.