Interneti përdoret masivisht sot në Shqipëri, aq sa është çudi nëse një një bar kafe apo restorant të mos kesh wi-fi. E njëjta gjë ndodh edhe me një numër të madh banesash, të cilat janë të pajisura me këtë shërbim. Madje, interneti është shndërruar në pak vite edhe në shërbimin dominant të komunikimeve të lëvizshme, ose e thënë ndryshe, nëpërmjet celularëve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, janë rreth 2.4 milionë përdorues që gjatë vititi 2019 e kanë përdorur rrjetin të paktën një herë dhe rreth 1.7 milionë përdorues aktivë (përdorim të internetit në tre muajt e fundit). Ndërsa të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për një rritje vjetore me 6% të numrit të përdoruesve të internetit në këtë periudhë.
Por ajo që vihet re nga të dhënat zyrtare është diferencimi gjinor në përdorimin e këtij shërbimi, i cili përdoret masivisht për punë dhe argëtim. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, 71.2 % e burrave rezultojnë përdorues të internetit gjatë vitit 2019 kundrejt 66.0 % të grave të grup-moshës 16-74 vjeç. Edhe për kategorinë e atyre që nuk e kanë përdorur kurrë internetin sërish konstatohen diferenca gjinore. Kështu, sipas INSTAT-it rreth 29.1 % e grave nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin gjatë këtij viti, përkundrejt 24.1 % burra.
http://www.instat.gov.al/media/7376/burra-dhe-gra-2020.pdf
Treguesi mbi shpeshtësinë e përdorimit të internetit për kategorinë “çdo ditë/pothuajse çdo ditë” ka shënuar rritje prej 1.7% krahasuar me vitin 2018. Edhe këtu diferencat gjinore janë të pranishme. Shpeshtësia e përdorimit të internetit sipas ndarjes gjinore, tregon se në vitin 2019 burrat dhe gratë e përdorin internetin “çdo ditë/pothuajse çdo ditë”, përkatësisht 88.0 % dhe 86.1 %.
“Në ditët e sotme, përdorimi i internetit është një domosdoshmëri për kryerjen e veprimtarive profesionale dhe personale. Rritja e numrit të abonentëve në kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit vjen si rrjedhojë nga njëra anë e domosdoshmërisë për të kryer aktivitete të lidhura me pozicionin e punës edhe pse jashtë orarit zyrtar dhe nga ana tjetër, e aksesit më të lehtë në shumë shërbime apo ndërtimit të një jetë sociale online. Burrat, prej kohësh mbajnë pozicione më të vlerësuar në administratë dhe drejtim dhe për rrjedhojë e kanë edhe më të domosdoshme të jenë të informuar lidhur në aspektin profesional. Kuptohet se kjo diferencë bëhet e dukshme vetëm kur del jashtë kryeqytetit apo qyteteve më të mëdha. Pikërisht për këtë fakt, këta të fundit kryesojnë edhe në blerjen e pajisjeve teknologjike pc, laptop apo produkte të tjerë plotësues”, shprehet Eni Nasi, eksperte për ekonominë, e cili evidenton këta elementë si përcaktues në shkallën më të lartë të përdorimit të intenetit nga burrat.
Eni Nasi -Eksperte për ekonominë
Ndërsa për ekspertin e Teknologjisë dhe Inovacionit, Violdi Danaj arsyeja kryesore është shpenzimi i kohës në mënyra të ndryshme mes gjinive, por ndikim ka edhe zhvillimi ekonomiko-social jo i njëjtë, veçanërisht në zonat rurale. “Nga të dhënat e fundit të INSTAT shikojmë se përfitimi i internetit është më i theksuar te burrat sesa te gratë, diku në raport 71% me 66%. Kjo vjen si pasojë e shfrytëzimit të kohës në mënyra të ndryshme ndërmjet 2 gjinive. Mbas orarit të punës gratë vazhdojnë ta kenë kohën e angazhuar edhe në shtëpi, kurse burrat mendoj se janë pak më të lehtësuar dhe kanë kohë më të lirë që kërkojnë t'a mbushin, duke lundruar në rrjet. Gjithashtu, duhet theksuar se në zonat periferike dhe rurale përqindja e grave që zotërojnë një aparat të përshtatshëm për të lundruar në rrjet është më e vogël se e burrave”, shprehet Danaj.
Violdi Danaj - Ekspert i Teknologjisë dhe Inovacionit
Të dhënat evidentojnë se interneti përdoret në një shkallë të lartë edhe për blerjet on line. Këtu raportet gjinore përmbysen. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se përsa u përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë dhe grup-moshave, në vitin 2019 gratë kanë kryer më shumë blerje për veshje/pajisje sportive në krahasim me burrat. Më saktësisht 56.9 % për gratë dhe 43.1 % për burrat. Ndryshime të forta ka edhe në artikujt që ata kanë porositur online. Të dhënat tregojnë se burrat treguan një preferencë më të madhe për kompjuter, programe kompjuterike, pajisje kompjuteri, pajisje elektronike me 63.3 % përkundrejt 36.7 % për gratë.
“Ka një ndarje të thellë në mënyrën e përdorimit. Gratë e përdorin internetin më shumë për rrjetet sociale, blerjet online të veshjeve, recetat e gatimit dhe thirrjet audiovizive, kurse burrat më shumë për marrje informacioni dhe blerjet elektronike. Nëse do të bënim ndarjen për qytetet, kam përshtypjen se për kryeqytetin kjo ndarje nuk do të ishte aq e madhe ndërmjet dy gjinive”, shprehet Violdi Danaj, ekspert për Teknologjinë dhe Inovacionin.
Për eksperten e ekonomisë Eni Nasi, arsyet pse gratë blejnë më shumë online se burrat dhe veçanërisht veshje, lidhet me rolin e tyre në familje, por pa dyshim edhe me një qasje globale, që diktohet nga zhvillimi i industrisë së modës. “Nëse shohim strukturën e arsyeve të përdorimit të internetit vihet re se gratë tejkalojnë burrat në kategorinë e blerjes së veshjeve. Një arsye për të është fakti se tradicionalisht këto të fundit mbulojnë këtë aspekt në nivel familjar, pra duke u kujdesur edhe për nevojat e fëmijëve dhe bashkëshortit dhe së dyti, sepse prej vitesh mbeten në qendër të politikave të marketingut të kësaj industrie, në nivel botëror”, argumenton Nasi.
Ndërkaq, një faktor i rëndësishëm që ka nxitur përdorimin e internetit në masë të gjerë, si për burrat, ashtu edhe për gratë, është edhe digitalizimi i shërbimeve publike. Raporti i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) "Government at a Glance -Western Balkans" vlerëson se Shqipëria renditet e para në rajon për dixhitalizimin e qeverisjes dhe mbi mesataren e vendeve të OECD për shërbimet e ofruar me në qendër përdoruesin: shërbimet online për qytetarët dhe shërbimet dixhitale lehtësisht të përdorura. Kjo e bën internetin të domosdoshëm. Duke iu referuar një shembulli, qytetarët nuk i marrin më certifikatat personale apo familjare në njësitë administrative vendore, por duhet t’i shkarkojnë ato vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania. Kjo do të thotë se duhet të kenë dhe të përdorin në mënyrë të pashmangshme internetin. Kjo vlen edhe për shumë shërbime të tjera.
“Ndërsa në vitin 2020 për vendet europiane kjo ndarje u përmbys, duke bërë që gratë të kalojnë në avantazh në përdorimin e Internet kundrejtë burrave, në Shqipëri ky raport vazhdon ende të mos ndryshojë”, shprehet Violdi Danaj.
Kjo varet nga kultura e një vendi dhe padyshim nga mundësitë ekonomike, ku në Shqipëri paraja mbetet ende domen i burrave.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda – ICEDA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), the Academy of e-Governance (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability (Serbi), NGO 35mm (Mal i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti po zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.
(Foto njoftimi, burimi: https://eige.europa.eu/gender-mainstreaming/policy-areas/digital-agenda)