Sulmi kibernetik/ Shumë shërbime ende nuk funksionojnë, biznesi në “hall” me bilancet

25/07/2022

Elisabeta Katiaj ka një prej zyrave kryesore të kontabilitetit në Tiranë. Ajo mban bilancet dhe pasqyrat financiare të disa prej kompanive të mëdha vendase dhe të huaja. Që prej të shtunës së kaluar, thuajse asnjë shërbim për bizneset nuk bëhet online. Kjo për shkak të një sulmi kibernetik, që ka rrëzuar faqet zyrtare në internet të ministrive, institucioneve kryesore dhe platformës e-Albania. Janë rreth 1200 shërbime që qytetarët dhe sipërmarrja nuk i aksesojnë dot prej një jave, pasi që prej 1 Majit të këtij viti, ato janë vetëm online. Të njëjtin shqetësim kanë edhe bizneset e vogla dhe të mesme, që presin fatura për shitjet që bëjnë. Përllogaritja e xhiros bëhet e vështirë. Këto biznese nuk presin dot fatura dhe si rrjedhojë nuk mund të bëhen pagesa. Kjo përkthehet në probleme likuiditeti për ta.

 “Sistemi ka pasur probleme edhe përpara sulmit. Ka raste që refuzohen, ka raste që vonohen. Ka shumë probleme që vijnë edhe si pasojë e funksionimit të vetë sistemit, që kanë hasur bizneset që nga nisja e periudhës së digjitalizimit e deri më sot. Kështu që pezullimi një ditor, disa ditor ose një javor është i mirëkuptueshëm, pasi mund të përballohen për një periudhë kohe të shkurtër. Por ajo që përbën problem është sistemi i faturimit, që lidhet me transmetimin në kohë reale të faturës dhe fiskalizimin. Këto raste janë parashikuara me dispozitë ligjore, por biznesi i ka të panjohura”, shprehet Katiaj.

Ndërkaq burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve shpjegojnë se gjatë kësaj jave nuk ka pasur ankesa të raportuara nga tatimpaguesit në lidhje me dublikimin e faturave. Por burimet shpjegojnë se si procedurë normale, në rast të dublikimit të faturave, për arsye të ndryshme, tatimpaguesit duhet të anulojnë faturat e përsëritura duke mbajtur vetëm faturën e saktë, e cila duhet të përfshihet edhe në totalin e qarkullimit apo xhiros që raportohet.

Një shqetësim edhe më i madh është ai i dorëzimit të bilanceve, në kushtet kur afati ligjor është 31 korriku. Dorëzimi i bilanceve bëhet vetëm elektronikisht dhe nëse nuk respektohet data e përcaktuar në kuadrin ligjor, atëherë subjekti ndërshkohet me 60 mijë lekë gjobë. Janë jo pak, por gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se afati për dorëzimin e bilanceve do të shtyhet dhe ndaj bizneseve nuk do të aplikohet gjobë.

Ndërkaq një javë pas sulmit kibernetik, situata ende nuk i është rikthyer normalitetit. e-Albania nuk është plotësisht funksionale, ndërkohë që sistemi Self Care ende nuk punon, nuk fiskalizohen as deklaratat doganore. Faqja e tatimeve është në punë. Bizneset mund të realizojnë edhe fiskalizimin e faturave, përveç të vetëpunësuarve që punojnë me sistemin Self Care (pa pagesë), i cili është i lidhur me e-Albania. Sistemi i Self Care vijon të mos jetë funksional edhe pas rikthimit në punë të e-Albania. Bizneset ankohen se ende nuk mund të bëjnë as fiskalizimin e deklaratave doganore. Për rinovimin e certifikatave elektronike mund të bëhet aplikimi, por nuk mund të merren.

Ekspertët: Duhen investime për të rritur sigurinë e sistemit

Ekspertët e Teknologjisë së Informacionit shpjegojnë se pas kalimit të 95% të shërbimeve publike në rrugë digitale, Shqipëria është bërë target i sulmeve kibvernetike, si ai që pësoi sistemi që prej të shtunës së kaluar. Kjo do të thotë se sulme të tjera pritet të ndodhin në të ardhmen. “Meqënëse Shqipëria ka kaluar çdo gjë online, bëhet target botëror për sulmet kibernetike sepse i rritet vlera e kapitalit që ka online dhe rrjedhimisht, hakerat në botë dhe vendet armike do ta bëjnë target.”, shprehet Gent Progni, eskpert për Teknologjinë e Informacionit. Sipas tij, nuk ka rrezik për momentin për zhdukje të të dhënave. “Nga të gjitha informacionet, rezulton se të dhënat kanë qenë të bëra back-up, plus edhe sulmi është kapur në kohë. Kështuqë, ka shpëtuar kjo pjesë”, shpjegon Progni.

Eksperti i IT-së rekomandon që të bëhen më shumë investime për të rritur sigurinë e sistemit. Ky sulm tregoi që duhet të investojmë më shumë për sigurinë kibernetike dhe të jemi më të përgatitur. Në teknologjinë e informacionit je gjithmonë i ekspozuar. Asnjëherë nuk mund të thuash që je 100% i sigurtë. E vetmja siguri totale është nëse ti heq linjën e internetit në lidhjet me jashtë dhe të mban rrjet të mbyllur lokal. Në studimet teknlogjike është vërtetuar që e vetmja teknologji që u bën ballë këtyre sulmeve është Blockchain. Kështuqë, kalimi i shërbimeve nga qeveria në Blockchain do të ishte nga zgjidhjet më të mira dhe ideale”, shprehet Progni.

Ky është sulmi i parë kibernetik i sistemit që pas kalimit të 95% të shërbimeve publike online dhe që ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët dhe biznesi. Paralelisht ka ulur besimin ndaj qeverisë dhe digitalizimit të shërbimeve. Kjo është arsyeja që ekspertët e Teknologjisë së Informacionit rekomandojnë që paralelisht me sistemin elektronik, disa shërbime të ofrohen edhe në sportele fizike, si një alternativë shtesë. “Mendoj që duhet të ketë gjithmonë një plan emergjence dhe duhet të hapen sportelet fizike, por gjithmonë në plan emergjence.”, shprehet Gent Progni, ekspert IT.

Sulmi kibernetik i një jave më parë, me shumë gjasë, sipas edhe asaj që paralajmërojnë ekspertët, nuk do të jetë i fundit. Një sulm që tregoi se ka nevojë jo vetëm për më shumë investime në rritjen e sigurisë, por edhe në një koordinim dhe informim më të mirë të qytetarëve dhe biznesit, si përfituesit kryesorë të shërbimeve elektronike. Ata që sot, ende nuk dinë ç’të bëjnë!

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit "Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania - ActionALBANIA", që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.

Ky grant mbështetet nga "Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën", financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit Increasing Civic Engagement in the Digital Agenda – ICEDA, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Metamorphosis Foundation (Maqedonia e Veriut), the Academy of e-Governance (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), CRTA – Center for Research, Transparency and Accountability (Serbi), NGO 35mm (Mal i Zi) dhe ODK – Open Data Kosovo (Kosovë). Projekti po zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.