Qeverisja e hapur e Kuvendit në rajon dhe në Republikën e Shqipërisë

Qeverisja e hapur e Kuvendit në Republikën e Shqipërisë

Referuar në rezultatet e gjeneruara nga monitorimi i kryer në periudhën dhjetor 2018 – shkurt 2019, Kuvendi i Shqipërisë ka performuar pozitivisht 72.94% të treguesve të matjes së hapjes institucionale. Ky rezultat paraqitet 17.49% më i lartë në krahasim me mesataren e performancës së rajonit të Ballkanit Perëndimor, por ka shfaqur një rënie të lehtë në krahasim me performancën e institucionit vitin e shkuar. Megjithatë, Kuvendi vazhdon të mbetet institucioni publik me nivelin më të lartë të hapjes, në nivel kombëtar. Por në aspektin politik, institucioni u përball me bojkotimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së opozitës që prej qershorit të vitit 2018, rikthimin e saj për diskutimin e problematikave universitare që çuan studentët në protestën e dhjetorit 2018, deri në dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës në shkurt të këtij viti; motivi i bojkotimit dhe dorëzimit të mandateve, sipas përfaqësuesve të opozitës, është inkriminimi i kuvendit. Për të vijuar me performancën administrative, katër shtyllat e mirëqeverisjes për Kuvendin e Shqipërisë kanë rezultuar si në vijim: 83.43% e treguesve të aksesueshmërisë plotësohen, 78.52% indikatorë pozitivë të efektshmërisë, 82.86% e treguesve të integritetit dhe 62.21% e treguesve të transparencës. E përkthyer ndryshe, vlerën më të ulët Kuvendi i Shqipërisë e arrin në plotësimin e informacionit të buxhetit të shtetit, prokurimeve publike dhe informacionit organizacional. Për sa i takon informacioneve kryesore të veprimtarisë së Kuvendit të Shqipërisë, mund të gjenden lehtësisht në faqen zyrtare online të institucionit. Kalendari tre javor, agjendat e mbledhjeve dhe seancave plenare, lista e projektakteve dhe akteve ligjore të miratuara, prezenca e deputetëve dhe rezultatet e tyre të votimit, janë të identifikueshme dhe klikueshme në faqen e parë të ëeb-it. Më poshtë, do të paraqiten disa prej treguesve të performuar gjatë periudhës së studimit.  

Çështjet kryesore:  

  • Përmirësime në Kodin e Etikës së Kuvendit dhe rregullimi i parandalimit të konfliktit të interesit.
  • Transparencë më e lartë institucionale. Plotësim i standardeve të publikimit të prokurimeve publike dhe shpenzimeve buxhetore.  
  • Nivelet e aksesueshmërisë së qytetarëve ndaj Kuvendit të Shqipërisë duhen përmirësuar, gjithashtu. Hartimi i udhëzuesve dhe zhvillimi i trajnimeve për të ofruar të dhëna të hapura dhe të ripërpunueshme mbetet ende një çështje. 

*Bazuar në matjet e kryera përgjatë periudhës Dhjetor 2018 deri në Mars 2019.