Pushteti Ekzekutiv
Duke iu referuar standardeve ndërkombëtare të hapjes institucionale, institucionet e ekzekutivit duhet të përmirësojnë performancën e tyre kryesisht në komponentët e aksesimit dhe transparencës, në përputhje me ligjin në fuqi nr. 119/2014, datë 18.09.2014 “Për të drejtën e informimit”. Më konkretisht, institucionet publike duhet të angazhohen në fuqizimin e kapaciteteve të Koordinatorëve për të Drejtën e Informimit, me trajnime përkatëse dhe qëndrueshmërinë e tyre në përgjegjësinë e caktuar, si aktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit të transparencës. Përgjegjshmëria ndaj kërkesave prej aktorëve të interesuar për informacion publik duhet të rritet nga institucionet publike, duke zbatuar afatet ligjore, si dhe nenet rregulluese të ligjit për të Drejtën e Informimit; zvogëlimi i burokracive dhe rritje proaktiviteti.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë duhet të angazhohet kryesisht në rritjen e transparencës së veprimtarisë së Këshillit të Ministrave, përmes publikimit të agjendave dhe procesverbaleve të zhvillimit të mbledhjeve. Rekomandim thelbësor dhe i vazhdueshëm mbetet krijimi i ligjit për lobingun, si një formë integrale e pjesëmarrjes moderne të qeverisjes dhe si e tillë, duhet të rregullohet ligjërisht.
Ministritë e linjës në Republikën e Shqipërisë duhet të fokusohen më shumë në publikimin e dokumentave që përmbajnë informacion në lidhje me veprimtarinë e tyre administrative, në përputhje me fushën e tyre të veprimit, duke shmangur mbizotërimin e publikimeve që lidhen më së shumti vetëm me figurat dhe aktivitetet e drejtuesve të këtyre institucioneve. Publikimi i dokumentave buxhetorë dhe atyre të procedurave të publikimeve publike duhet të konsiderohet prioritet për t’u publikuar në faqët zyrtare të tyre dhe jo në platforma të qëndërzuara.
Agjencitë Ekzekutive të Republikës së Shqipërisë mbeten ende të ngurta për të qenë të hapura ndaj palëve të interesuara. Një nga rekomandimet më të rëndësishme është rritja e trajnimeve për personelet përgjegjëse për zbatimin e të drejtës së informimit mbi relevancën e ligjit dhe penalitetet administrative të cilat përfshijnë edhe këto agjenci, si entitete publike, pavarësisht se nën varësinë e cilit institucioni publik ato janë; krijimi i një kulture të përgjithshme ku çdo institucion publik buxhetor të jetë i përgjegjshëm për të qenë proaktiv dhe transparent.
Pushteti Legjislativ
Referuar në standardet ndërkombëtare të mirëqeverisjes dhe hapjes institucionale, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të rrisë përpjekjet institucionale për të përmirësuar nivelet e transparencës dhe efektshmërisë përmes ndërgjegjësimit, me qëllim rritjen e proaktivitetit dhe dhënies së informacionit për publikun e gjerë. Ndërtimi i faqes së re zyrtare të institucionit ka bërë që një sërë dokumentash, të aksesueshme në vlerësimet e mëparshme, të mos gjenden online përgjatë periudhës së monitorimit të këtij viti. Duke konsideruar funksionet legjislative, zgjedhëse dhe kontrolluese të Kuvendit, rëndësi e publikimit të informacionit publik dhe edukues për qytetarin merr një vëmendje më të madhe, krahasimisht me institucionet e tjera të publikes.
Më konkretisht, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës buxhetore; publikimi i procedurave të prokurimeve publike, duke nisur nga parashikimet deri te realizimet e kontratave, si dhe publikimi i raportimeve periodike buxhetore të shpenzime të parashikuara dhe realizuar të institucionit. Duhet theksuar se në nivel të përgjithshëm të administratës publike në Shqipëri, duhet të ketë më shumë vëmendje në qasjen proaktive të publikimit të informacionit zyrtar publik. Kuvendi, ashtu si të gjitha institucionet publike, duhet të jetë i orientuar nga mendësia e publikimit të parashikimit dhe realizimit të aktiviteteve të veprimtarisë institucionale, pra si nga pikëpamja programatike, ashtu edhe ajo financiare. Në këtë mënyrë, çdokush i interesuar, ka mundësinë të vlerësojë performancën vjetore të institucionit në arritjen e objektivave, gjë e cila ul mundësitë e perceptimit të manipulimit të të dhënave institucionale.
Trajnime të vazhdueshme të personelit në fushën e informimit, publikimit të të dhënave në format të hapur dhe ruajtjes së të dhënave personale, me qëllim rritjen e proaktivitetit të institucionit kundrejt përdoruesit të gjerë duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së të dhënave sensitive të gjeneruara gjatë proceseve të punës.
Shtimi i kuadrit ligjor për rregullimin e aktivitetit të lobistëve, krijimit të mekanizmit të peticioneve online dhe bërjes së detyrueshme të publikimit të skedave të deklarimit të pasurisë së deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë publik.
Pushteti gjyqësor
Referuar në standardet ndërkombëtare të mirëqeverisjes dhe hapjes institucionale, ajo që vihet re më së shumti në performancën e sistemit gjyqësor në Shqipërisë është mungesa e vullnetit administrativ për të ofruar publikisht informacionin zyrtar. Me qëllim ndryshimin e kësaj situate, lind nevoja e trajnimeve të vazhdueshme për të ndryshuar qëndrimin e gjyqtarëve/prokurorëve dhe personeleve administrative në dhënien e informacionit të konsideruar me interes publik; të ulen barrierat e mendësisë së informacionit konfidencial duke konsideruar se veprimtaritë e këtyre institucioneve financohen nga fonde publike, ndaj qytetarët duhet të aksesojnë transparencë për përdorimin e këtyre fondeve.
Të investohet më shumë në zhvillimin e platformave të faqeve zyrtare. Pavarësisht detyrimin ligjor të sistemit gjyqësor për të rregjistruar seancat, faqet aktuale nuk mundësojnë publikimin e tyre, për shkak të madhësisë që këto dokumenta kanë.
Pushteti vendor
Referuar në standardet ndërkombëtare të mirëqeverisjes dhe hapjes institucionale, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të rrisë përpjekjet për të përmirësuar nivelet e transparencës institucionale dhe aksesueshmërisë së proceseve vendimmarrëse nga qytetarët e komuniteteve që ata administrojnë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë strukturat që gjenden më pranë qytetarit, krahasimisht me institucionet apo autoritetet e tjera publike. Përfshirja e qytetarëve në proceset demokratike të njësive rrit besueshmërinë e tyre ndaj institucioneve dhe efektivitetin e ofrimit të shërbimeve, të orientuara sipas nevojave të komunitetit.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të konsiderojnë me rëndësi rritjen dhe forcimin e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit të Koordinatorëve për të Drejtën e Informimit. Ruajtja e kujtesës institucionale, duke u angazhuar në mosndryshimin e këtij pozicioni për periudha afatmesme, do të rriste proaktivitetin e transparencës institucionale në nivele të ndjeshme. Pjesëmarrja e personave përgjegjës në trajnime relevante për të drejtën e informimit, publikimit të të dhënave të hapura, si dhe ruajtjes së informacionit të ndjeshëm janë kyçe për sigurimin e një procesi ndërveprues dhe efektiv me komunitetet e këtyre njësive.
Publikimi i informacionit të rëndësishëm për qytetarët është një nga çështjet më prioritare për t’u konsideruar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Këto të fundit duhet të orientohen drejt përqasjes me në fokus qytetarin dhe jo promovimin e figurave politike që drejtojnë institucionet.
Rritje të numrit të materialeve edukuese për qytetarët është një nga rekomandimet më të rëndësishme për t’u konsideruar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Më konkretisht, pushteti lokal duhet të angazhohet në publikimin e buxhetit për qytetarët, informimin e tyre për nismat e planifikuara për diskutim nga Këshilli Bashkiak, si dhe publikimi i realizimit buxhetor vjetor përmes grafikave informuese.
Hapja dhe transparenca e diskutimeve të Këshillit Bashkiak. Pushteti lokal, përmes hapjes së diskutimeve dhe vendimeve të parlamenteve vendore, rrit besueshmërinë e qytetarit ndaj institucioneve dhe ndërgjegjësimin e tyre për të qenë pjesë e proceseve, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve që ky pushtet ofron.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).