Share

Bunker! – Edison Xhakoni

Bunker!

“Vendi të ç’bunkerizohet!”, tha jo tekstualisht kryeministri në një prej mbledhjeve të qeverisë. “Vetëm se kjo ka një kosto të lartë, ndaj edhe do të shtyhet në një moment më të mirë për financat e shtetit”,- tha nga ana tjetër zëvendësministri i mbrojtjes, “pasi nuk paraqesin rrezikshmëri”.

Gjatë viteve ’70 – ’80 u ndërtuan rreth 700 mijë bunkerë dhe fortifikime të ndryshme ushtarake, për të mbrojtur vendin nga armiqtë. Pas ndërrimit të sistemit, kur armiqtë dolën që paskën qenë  miqtë tanë më të mirë, bunkerët u braktisën, të paktën nga vëmendja e shtetit. Heshturazi ata janë dënuar me vdekje, që kur hekuri filloi të kërkohet për skrap. Me vendimin e fundit të qeverisë dënimi u bë zyrtar, duke përligjur edhe shkatërrimet e mëparshme të bunkerëve, për hekurin që kanë në brendësi.

Bunkerët janë fortifikata betoni dhe hekuri, ideuar për t’u bërë ballë sulmeve me armët më të rënda të kohës, por edhe sulmeve kimike e bërthamore me një fuqi deri në njëzet kiloton, si dhe për të siguruar mbijetesën e njerëzve në të. Para zbatimit të projektit, bunkerët kanë kaluar provat e vështira të rezistencës, që përfshinin bombardimin me artileri e me avionë, me armët më të rënda që ushtria kishte në zotërim. Brenda tyre janë vendosur edhe kafshë të gjalla, lepuj, dhi dele si dhe qen kufiri. Këta të fundit u futën për afërsinë e shqisës së tyre të të nuhaturit me atë të njeriut. Si përfundim bunkerët nuk u dëmtuan dhe kafshët mbijetuan. Pas kontrollit të kafshëve, mjekët dhanë sigurinë se njerëzit mund t’i mbijetojnë luftës aty brenda. Duke parë suksesin qeveria e atëhershme angazhoi me dhjetëra specialistë, nga më të aftët që kishte, të cilët arritën të siguronin në Europë makineritë e nevojshme për prodhimin e betonit dhe çelikut special, si dhe hartuan projektet. Materialet e përdorura për ndërtimin e bunkerëve janë të paktën dy herë më të forta se materialet më rezistente që përdoren sot. Ideja ishte që çdo ushtar të kishte qendrën e tij të zjarrit. Por ka edhe bunkerë për topa, tanke e deri edhe fortifikime gjigande të futura thellë në shpatet e maleve, për strehimin e udhëheqjes në rast pushitmi, fortifikime këto të pajisura me të gjitha kushtet e jetesës, e edhe me salla mbledhjeje e mjete të nevojshme për drejtimin e operacioneve ushtarake në kushtet më të vështira.

Por tani që armiq nuk ka më, të paktën jo nga ata që të hedhin bomba, bunkerët duket se do të përfundojnë fatalisht. Por, a mund të shuhet kaq thjeshtë vepra e një regjimi që mbajti të sunduar për gati gjysëm shekulli vendin? Do të ishte mjaft e çuditshme që largpamësia e një drejtuesi të fortë, pa i hyrë çështjes se sa i drejtë ishte, të kufizohej me gjatësinë e jetës së tij. Njihen raste mjaft domethënëse kur bunkerët u kanë shërbyer njerëzve. Gjejnë përdorim të gjerë, që nga shndërrimi në vendstrehim bagëtish, në magazina e deri në biznese të sukseshme, siç është rasti i bunkerit blu në plazhin e Durrësit, i kthyer në restorant peshku. Një çift ish-emigrantësh, të cilët kanë punuar në Greqi në një restorant peshku buzë detit, kthehen në vendlindje, e lyejnë me blu bunkerin dhe e mobilojnë për kuzhinë. Ca tavolina në rërë, një tendë e thjeshtë dhe sot numërohen si histori suksesi në biznes. Pas tyre shumë të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë, por akoma shumë bunkerë presin të shfrytëzohen.

Dy arkitektë shqiptarë janë prezantuar në bienalen e Venecias me një projekt për shndërrimin e bunkerëve në objekte turistike. Ata propozojnë kthimin e tyre në hotele me një dhomë e me kosto të ulët, si dhe në kioska informacioni. Gjithashtu, paralelisht me ta në Tale të Lezhës ka filluar zbatimi i një tjetër projekti, i universitetit Mainz në Gjermani, në bashkëpunim me Universitetin Polis në Tiranë. Ideja ishte e një studenteje shqiptare, e cila mbrojti diplomën me këtë temë. Ajo i pëlqeu aq shumë profesorit të saj, sa ai i dha detyrën e hartimit të një cikli seminaresh, i cili u realizua. U lidhën kontaktet në Shqipëri dhe projekti nisi nga zbatimi. Njëzet studentë, shqiptarë dhe gjermanë po merren më këtë. Parashikohet që kostoja e një nate në një hotel të tillë të mos i kalojë tetë euro.

Por bunkerët mund të kthehen edhe në muze, dëshmi e një kohe të jetuar, që domosdoshmërisht nuk duhet harruar e nuk i duhen fshirë gjurmët. Dhe kështu po ndodh në Gjirokastër, me bunkerin e ndërtuar nën shkëmbin mbi të cilin ngrihet kalaja. Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës ka një projekt konkret, i cili ka filluar edhe të zbatohet, me pastrimin dhe riparimin e rrjetit elektrik të këtij bunkeri, mbi tetëqind metra të gjatë. Hyrja e tij është afër komitetit të partisë, ku sot ndodhet bashkia, pra fare afër me vendin ku ndalojnë autobuzët me turistë të huaj. Dhe në fakt turistët nuk ngurojnë ta vizitojnë. Bunkerët mund të kthehen edhe në vepra arti, siç e ka menduar një artist që jeton në Zvicër. Ai ka marrë tre bunkerë të vegjël, i ka kthyer përmbys, i ka lidhur me beton dhe tani vepra e tij shërben si skenë muzike tek Tirana Ekspres, pranë stacionit të trenit në Tiranë.

Në kohën e krizërave ekonomike nuk ka asgjë më të dobishme se një objekt që gjeneron para. Dhe bunkerët janë të aftë ta bëjnë këtë, nëse i kushtohet sado pak vëmendje. Shkatërrimi i bunkerëve për t’iu marrë hekurin që i përbën, ngjan me vrasjen e elefantëve për fildishin e dhëmbëve të tyre. Është dëm i madh, për një përfitim krahasimisht të vogël. Nga ana tjetër, shfrytëzimi i tyre ka kosto relativisht të ulët, ruan një pjesë të historisë dhe mund të gjenerojë mjaft të ardhura, me pak kreativitet. Ndoshta Enveri nuk e ka menduar kështu, por bunkerët e tij munden akoma ta mbrojnë vendin nga armiku i jashtëm. Vetëm se jo si gryka zjarri ksenofobike, por si shtëpi mikpritjeje, që është kaq karakteristike.