Share

Axhenda e mediave shqiptare – Kujtim Xhaja

Axhenda e mediave shqiptare

Ashtu siç do të theksonte Cardiff dhe Scannell, televizioni mban të lidhur zinxhirin e madh social, duke vënë individët në kontakt me qendrën e jetës kombëtare, qytetin me fshatin, krahinat me krahinat dhe madje edhe kombet me kombet (Cardiff dhe Scannell në Curran (eds): 1987)¹. Pra masmediat  luajnë një rol të madh orientues për qytetarët në vëndet demokratike.

Koha në të cilën jetojmë nuk vuan më nga mungesa e informacionit, përkundrazi, njeriu “bombardohet” nga të gjitha anët me një mori të dhënash. Media i drejtohet një publiku të madh, të ndryshëm dhe të shpërndarë, ose thënë ndryshe “masës”. Pra, media, duke i dhënë rëndësi disa ngjarjeve më shumë se disa te tjera dhe duke i dhënë atyre prioritet në transmetim, ndihmon në formimin e gjykimit personal të qytetarëve mbi punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera demokratike, duke krijuar atë që quhet “axhendë e medias”.

Për të kuptuar më mirë rolin e këtyre ngjarjeve që fitojnë kaq shumë hapësirë mediatike dhe mënyrën sesi e formësojnë opinion publik do të ishte me vlerë të sillja shembullin e një televizioni të rëndësishem kombëtar, siç është televizioni Klan. Ky studim është bazuar në kërkime dhe vëzhgime një javore (14.06.2012-20.06.2012) në  edicionet informative kryesore të  televizionit kombëtar, Tv Klan.

Në të njëjtën kohë ky studim synon të paraqesë një panoramë të gjerë të zhvillimit të medias dhe rëndësinë që një media e tillë i kushton lajmit dhe krijimit të të ashtuquajturës axhendë të medias. Më poshtë janë të renditura 2 lajmet kryesore që hapin edicionet informative, të çdo dite, pra dy lajmet që ky televizion iu kushton prioritet.

      Televizioni Klan/ 2 Lajmet kryesore     Data       Edicioni informativ/ora
1-Moratoriumi i skafeve, PD dorëzon në Kuvend amendamentet në favor të PS.2- Fullani: Shqipëria e përballoi krizën e borxheve, Bode: Sfidë, rritja ekonomike. 14.06.2012     Ed.informativ, ora 15:30
1-Whitmore takon Topallin: Presidenti, sfidë e suksesshme.2-Banka Qendrore Evropiane garanton likuiditet për bankat. 15.06.2012     Ed.informativ, ora 15:30
1-Vijojnë urimet për Presidentin Nishani.2-Kriza e euros, forcohet leku. 16.06.2012     Ed.informativ, ora 15:30
1-I nxehti afrikan ne Tirane.2-Ndikimet ekonomike nga zgjedhjet ne Greqi. 18.06.2012     Ed. Informativ, ora 15:30
1-Kukan kritikon Ramën për procesin e zgjedhjes së Presidentit.2-S&P jep për Shqipërinë notën B +. 19.06.2012     Ed.informativ , ora 15:30
1-Përfundon ujësjellësi i Kodër-Kamëz, garantohet uji për 25 mijë banorë.2-Forumi ekonomik gjermano-shqiptar, kryeministri shpalos potencialet ekonomike. 20.06.2012     Ed.informativ, ora 15:30

 

Vëmë re që dy lajmet kryesore, të cilat hapin edicionin informativ janë lajmet nga politika-ekonomia (shih dt.14.06.2012-20.06.2012). Vetëm në dy raste shohim që edicioni u ka dhënë prioritet çështjeve sociale (sic është edicioni I datës18 dhe 20) ku problematika shoqërore del në pah.

Nga kjo, dalim në përfundimin që raporti i çështjeve politike të trajtuara nga kjo media është më  i madh se raporti i çështjeve shoqërore si: shëndetësia, arsimi dhe pastërtia urbane.

Publiku shqiptar, në këtë mënyre është i “bombarduar” nga mbulimi mediatik i ngjarjeve politike. Çdo ditë një numër i konsiderueshëm lajmesh me objekt kryesor politikën kanë zaptuar ekranin televiziv dhe titujt e të përditshmeve shqiptare. Ky pasqyrim i tillë nuk mund të lihet pa trajtuar duke pasur parasysh që mediat formësojnë opinion publik.

Në edicionet informative të këtij televizioni zakonisht kur flitet për politikanë, vëmë re që çdo gjë e tyre përbën lajm. Për shëmbull kur një lider partie takon një figurë të rëndësishme, kjo pasqyrohet në media, (shembull: Kukan kritikon Ramën për procesin e zgjedhjes së Presidentit), por jo kur njerëzit e zakonshëm e bëjnë këtë. Çështje të tilla si: zgjedhja e presidentit të ri, Banka Qendrore Evropiane, forumet ekonomike, partitë politike siç shohim dhe më sipër janë kryefjala e lajmeve në këtë televizion. Media me anë të shpeshtësisë së transmetimit, renditjen që kryen, kohën që ju vë në dispozicion këtyre çështjeve i bën këto të rëndësishme dhe me impakt kryesor.

Nuk duhet harruar që në ditë ndodhin përditë me mijëra ngjarje, të cilat media nuk mundet t’i mbulojë. Kështu që ajo bën një përzgjedhje të ndodhive më të rëndësishme dhe ia paraqet ato publikut.Publiku, në këtë mënyre si konsumator i rregullt i lajmeve i krijohet ideja dhe nevoja se vërtetë është i interesuar për këto ngjarje, duke bërë që axhenda e medias jo në pak raste të kthehet dhe në axhendën e tij. Ai, duke konsumuar këto lajme që i vijnë të gatshme nga media, krijon pritshmëri dhe kuriozitet për këto çështje duke mënjanuar çështje të tjera me pak të trajtuara.

Edhe pse janë të shumtë të alfabetizuarit, siç i quan Mashall McLuhan, që e përçmojnë televizionin si media dhe e akuzojnë atë si një përvojë për shikues pasivë; sipas tij, televizioni është një medium që kërkon përgjigje pjesëmarrëse dhe krijuese.²

Duke mbajtur parasysh faktin se televizioni është media që dominon ende jetët sociale, politike dhe kulturore në vend dhe njihet si media më popullore, ai duhet të kërkojë këto përgjigje pjesmarrëse të publikut dhe ti pasqyroi ato. Siç do të nënvijëzonte Benedict Anderson, ashtu si publiku televiziv edhe kombi në analizën e tij përfytyrohet si një përbashkësi horizontale. Anderson trajton në veprën e tij “Imagined Communities: Reflections on the Origin and spread of Nationalism” perspektivën historike, për të eksploruar mënyrën sesi janë farkëtuar kombet përmes mediave³

Ndaj cështje te tilla sic janë ato me impakt kombëtar, shëndetësia, arsimi, urbanistika janë çështje me mjaft interes për publikun, por siç shihet shumë pak të trajtuara në televizion. Arsyeja, pse këto çështje nuk bëhen pjesë e axhendës së medias duket të jetë më e thellë.

“Deri kur të mos ekzistoi nje treg i formalizuar me rregulla loje të ndershme dhe audiencë të matur shkencërisht, sponsorët ekonomikë, që duhet të jenë të vetmit financues të medias, do të zëvendësohen nga sponsorët politikë”.⁴

Kështu nënvijëzonte raporti i përvitshëm për mediat dhe shoqërine e hapur Soros.

Në këtë mënyrë, media do përpiqet që pjesë të axhendës së saj të bëj ato cështje, të cilat drejtpërdrejtë kanë lidhje me mirëfunksionimin e saj, (cështjet politike) duke kontribuar dhe kushtëzuar kështu axhendën e publikut.